Ademi: UT-ja tanimë 23 vjet paraqet shembull për një institucion të arsimit të lartë

MAQEDONI

Universiteti i Tetovës e organizoi Konferencën IV shkencore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Tema boshte që trajton kjo konferencë këtë vit është “Bashkëpunimi midis universiteteve dhe bashkëjetesa kulturore – një premisë për një platformë të qëndrueshme në të gjithë Ballkanin”.

Këtë konferencë, në të cilën marrin pjesë rektorë dhe studiues të shumtë shkencorë nga të gjitha Universitetet e Ballkanit, e shpalli të hapur zyrtarisht Rektori i Universitetit të Tetovës, njëherit edhe President i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili tha se me aktivitetet e këtij niveli akademik, shkencor dhe kulturor, ne e konkretizojmë bashkëpunimin e suksesshëm, që kemi ndërtuar me institucione të arsimit të lartë, me institucionet publike dhe private, me organizatat joqeveritare, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me shumë universitete nga vendi, rajoni dhe bota, por edhe me studiues e njohës të dëshmuar të çështjeve arsimore, shkencore e kulturore nga vendi ynë, rajoni dhe arena ndërkombëtare.

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, punimet e konferencës i përshëndeti zëvendësministri i këtij dikasteri, Doc. Dr. Arbër Ademi. Sipas tij, prania e madhe e mysafirëve të huaj në këtë konferencë jep përshtypjen se ne të gjithë mendojmë dhe besojmë në fuqinë e dijes si një nga shtyllat themelore të zhvillimit shoqëror dhe rajonal dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për popujt e këtyre vendeve. “Unë besoj se edhe sot, si dhe në tri konferencat vjetore të mëparshme, do të ketë shumë konkluzione të përgjithshme në lidhje me sfidat që do t’i ndjekim në periudhën e ardhshme dhe në konferencën e ardhshme do t’i përmbledhim rezultatet pozitive. Sigurisht, besoj në kontributin e nikoqirit të kësaj konference, të përfaqësuesve të Universitetit të Tetovës – që tanimë 23 vjet paraqet shembull për një institucion të arsimit të lartë, i cili investon me përkushtim në krijimin e gjeneratave të reja dhe të suksesshme të qytetarëve akademikë dhe ka hise (pjesë) në zhvillimin e përgjithshëm të vendit dhe rajonit”, deklaroi zëvendësministri, Doc. Dr. Arbër Ademi. /Medial.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *