Drejt emrit të ri pa mbështetjen e VMRO-së

MAQEDONI

Zgjidhja e çështjes së emrit po hyn në fazën finale edhe atë përmes bisedimeve direkte dhe indirekte të dy qeverive të majta – ajo e Maqedonisë me në krye Zoran Zaevi dhe atë të Greqisë me në krye Aleksis Cipras. Mënshkrimi i marrëveshjes, siç ka konfirmuar Zaevi, pritet të ndodh në Prespë të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Por deri tek nënshkrimi do të ketë ende punë, së pari sipas asaj që ka thënë së fundmi kryeministri i Maqedonisë, duhet mënjanuar disa probleme teknike të disa neneve të tekstit të marrëveshjes dhe më pas të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij grek, Aleksis Cipras.

“E dini që unë në fillim isha optimist, nuk do të doja të jap hollësi. Besoj se do ta gjejmë zgjidhjen, por sapo të mënjanohen këto mundësi teknike, menjëherë do të ndodhë biseda telefonike dhe besoj se në afatin më të shpejt të mundur, mund të publikojmë se gjithë ajo që është dakorduar, si do ta procedonin më tej vetë procedurat, që të mbërrijmë në kohë para Këshillit Evropian për shkak se atëherë do të vendoset për marrje të datës për fillim të negociatave për Maqedoninë. Kështu, ditëve të ardhshme jemi maksimalisht të përkushtuar dhe fokusuar, bëhet fjalë për dakordim për nene nga marrëveshja, për hollësi të cilat janë të rëndësishme, për shkak se tani është koha që ato saktësisht të dakordohen”, ka theksua Zaevi. Ai flet për gatishmërinë e tij dhe të Ciprasit për ta nënshkruar Marrëveshjen, por nuk ka siguri për përkrahjen e opozitës kur thotë se duhet të gjejë mënyrën për t’ia shpjeguar opozitës marrëveshjen për emrin.

“Unë jam i gatshëm për këtë bisedë, e di se edhe ai është i gatshëm, gjithsesi se për ne është e rëndësishme se si këtë do t’ia shpjegojmë opozitës tonë të Maqedonisë me qëllim që ta ftojmë për të qenë së bashku me ne. Më e rëndësishme është që t’u shpjegojmë qytetarëve të Maqedonisë, por gjithashtu paralelisht është e rëndësishme që t’i shpjegojmë edhe opozitës në Greqi, si dhe qytetarëve të Republikës së Greqisë”, ka thënë Zaevi. Çdo marrëveshje, ka shtuar ai, ka aspirata përfundimtare jo vetëm të mënjanojë një problem të caktuar, por të jetë vegël për rritje të miqësisë midis dy popujve.

“Unë besoj se edhe ashtu do të pranohet nga të dyja palët. Kjo vetëm të jetë arsye që të rritet intensiteti dhe bashkëpunimi i ndërsjellë në çdo aspekt midis qytetarëve të Maqedonisë dhe qytetarëve të Republikës së Greqisë”, u shpreh Zaevi. Nga qëndrimet e tij shihet se Zaevi deri më tani, përveç përkrahjes që ka marrë nga partitë shqiptare në pushtet, nuk gëzon asnjë përkrahje për zgjidhje e emrit përmes parimit erga omnes nga partia më e madhe opozitare maqedonase. Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, nga tubimi i së shtunës para Qeverisë së Maqedonisë theksoi se VMRO nuk do të mbështesë një ndryshim të Kushtetutës për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues. Ai akuzoi se bisedimet për emrin po zhvillohen në fshehtësi dhe në mënyrë jotransparente dhe informacioni rreth kursit të tyre ishte kryesisht nga mediat greke. Bile, Mickosvki shkoi më larg me qëndrimet e tij kundër Zaevit duke kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidencialet.

Ndryshe, sa i përket emrit, do të mbetet i hapur deri në moment të fundit propozimi “Republika e Maqedonisë Veriore”, dhe propozimi tjetër “Republika e Maqedonia së Epërme”. Me gjasë, emri i shtetit do të shpaloset në Prespë. Ndërkaq sipas disa informatave jozyrtare, në Prespë do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh dhe kryetar i partisë socialiste në pushtet, kjo për të garantuar përkrahjen e Shqipërisë zyrtare njëjtë siç bëri Bullgaria për emrin e ri.

Deri më 20 qershor, kryeministri Zaev tha para pak ditësh se do të tentohet të arrihet marrëveshje përfundimtare me Qeverinë greke. Ajo që më shumë gjasa do të ndodh është pranimi emrit të ri erga omnes nga pala maqedonase, dhe në rast dakordimi – marrëveshja do të ratifikohet në Parlament me shumicë e votave. Por pikërisht pranimi erga omnes që do të pasojë ndryshimet kushtetues po has në kundërshtim e fortë opozitar dhe presidentit Gjorge Ivanov, i cili kërcënoi kohë më parë se nuk do ta nënshkruaj ratifikimin e Marrëveshjes për emrin nëse pranohet parimi erga omnes.

Nga ana tjetër, në Greqi jo vetëm partia më e madhe opozitare Demokracia e Re, por edhe partitë të djathta në pushtet më Ciprasin kundërshtojnë ashpër termin Maqedoni në emrin e shtetit. Mbetet të shihet deri në fund nëse marrëveshja mes dy qeverive do të gëzojë përkrahjen e partive opozitare në të dyja vendet. Më gjasë, përkrahja do të jetë negative dhe vetëm një angazhim direkt i bashkësisë ndërkombëtare mund të detyrojë opozitën greke dhe maqedonase të ndryshojnë qëndrim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *